Pyetje dhe Përgjigje

E kam lexuar tekstin tuaj në lidhje me muzikën dhe po ju pyes: a nuk është muzika e ndaluar në Islam?

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!


Paqja, mëshira dhe begatia e Zotit qofshin mbi ju!


Kur bëhet fjalë për ndalesën e këndimit dhe të muzikës që e përcjell atë, nuk ka shumë probleme dhe shumë paqartësi. Problematika fillon kur të merremi me definimin e asaj që është e ndaluar. A është çdo zë i bukur një këndim i ndaluar (arab. gina’)? Është më se e qartë se nuk është kështu, kur të shohim se në Kur’an dhe në hadithe ka udhëzime të qarta që Kur’ani dhe ezani të recitohen me zë të bukur. Atëherë, a është këndim secili zë drithërues?


As kjo nuk është një gjë e vërtetuar. Përfundimi që mund të arrihet nga mendimet e juristëve muslimanë në lidhje me temën në fjalë, është se këndim (i ndaluar) konsiderohet çdo zë, i cili përdoret për të krijuar një atmosferë argëtimi ose loje, rezultati përfundimtar i të cilës është mëkati. Me fjalë të tjera, në kategorinë e këndimit të ndaluar përfshihen zërat dhe këndimet që janë të përshtatshme me mbledhjet dhe organizimet imorale, në të cilat marrin pjesë njerëz të ligë imoralë dhe të devijuar. Më saktë, mund të thuhet se këndim i ndaluar është ai zë, i cili ngjall epsh tek njeriu (kushti i parë) dhe në atmosferën e të cilës njeriu do të ndjente se alkoholi dhe kontaktet trupore do të ishin të përshtatshme, gjegjësisht kur njeriu do të ndjente nevojë për të kryer një mëkat (kushti i dytë).


Duhet patur kujdes se ndonjëherë, vetë copa muzikore (pavarësisht atmosferës ku dëgjohet) është e karakterit argëtues dhe degjenerues, duke patur edhe një përmbajtje të tillë imorale. Megjithatë, ka raste kur pjesa përcjellëse është një muzikë e mirëfilltë, ndonse përmbajtja e tekstit është e vlefshme. Për shembull, shumë shpesh recitohen këngë fetare (ilahije), poezi e madje vargje të Kur’anit, të shoqëruara me një muzikë, që do të ishte e përshtatshme për atmosferë argëtimi dhe imoraliteti. Në të dy rastet, toni dhe muzika, pavarësisht përmbajtjes së tekstit, janë të ndaluara. Zëri (ose këndimi) pra, mund të ndahet në dy.


I pari është ai që është i ndaluar (haram) dhe që ka kryesisht dy karakteristika: përdoret për të krijuar një atmosferë imoraliteti dhe argëtimi duke e dëgjuar pjesën muzikore (me ose pa tekst), dëgjuesit stimulohen drejt mëkatit Kurse i dyti është zëri (ose këndimi) që nuk është haram dhe që nuk i posedon dy karakteristikat e mësipërme, siç është recitimi melodik i Kur’anit ose i ezanit.


Edhe në lidhje me tekstin e përdorur në një këngë, mund të bëhet ndarja në dy kategori. Në kategorinë e parë janë tekstet ku flitet për vlerat, për shpirtëroren, për Zotin, të Dërguarin, për Islamin etj. Pikëpamjen në lidhje me këtë mund ta shohim edhe tek fjalët e të Dërguarit të Zotit, i cili thotë: “Vërtet në disa vargje fshihet urtësia...” Kjo është thënë në lidhje me poezitë e epokës së tij, në të cilat lartësohej Islami, Zoti dhe vlerat e tjera. Në kategorinë e dytë të teksteve poetike janë tekstet që themelohen në fantazi e në ëndërrime të devijuara, për të cilat vlen ndalesa e theksuar në hadithe. Ka një rast tejet të famshëm në jetën e Profetit. Kur jobesimtarët mekkas akuzonin se Kur’ani ishte poezi, u shpall vargu në vijim: Ne s’ia mësuam poezinë të Dërguarit, sepse poezia s’i shkon atij për shtati. Kjo është vetëm një këshillë dhe një Kur’an i qartë...(Kur’an 36:69)


Përveç kësaj, është më se e qartë se nuk janë të ndaluara meloditë dhe tekstet e krijuara për qëllime ushtarake ose për ndeshje sportive, përderisa janë brenda kornizave të principeve morale. Filozofia e ndalimit të dëgjimit të këngëve dhe muzikës Nga dy karakteristika të muzikë e të këngëve mund të kuptohet pak a shumë edhe arsyeja e ndalimit të tyre. Thënë shkurt, ndikimet negative që sjell muzika dhe kënga mund të reflektohen në dy gjëra:


1. Stimulimi i imoralitetit Praktika tregon se një numër i madh njerëzish të virtytshëm e moralë i humbin këto tipare të tyre kur fillojnë të merren me muzikë ose të dëgjojnë këngë dhe vihen pas epsheve të tyre dëshirave, imoralitetit, humbjes së kohës dhe turbullimit të arsyes. Takimet ku ka muzikë dhe këndim janë zakonisht qendra të imoralitetit, të sjelljes së pakufizuar dhe epsheve. Jemi dëshmitarë të asaj që ngjan rreth nesh, qoftë në mass media, qoftë në organizimet “kulturore”, ku organizohen manifestime të ndryshme për rininën e “përparuar dhe të kulturuar”, e cila pikërisht nëpërmjet muzikës dhe këngës çohet drejt dehumanizimit, pa qenë fare e vetëdijshme për këtë.


Me këtë, kur vjen koha që rinia të piqet, të gjejë një punë, të krijojë familje, ta udhëheqë shoqërinë ose të bëjë ndonjë funksion tjetër me rëndësi, shohim se ajo nuk ka interes për këtë, për arsyen e thjeshtë se muzika ose ndjekja e verbër e epsheve dhe e dëshirave është shumë më argëtuese se kjo.


Mësimi, morali, principet, virtyti, të ndihmuarit e të tjerëve dhe gjëra të tilla si këto, për rininë tonë të sotme nuk janë veçse vlera të “paraardhësve tanë mendjelehtë”, ndërkohë që ata vetë duhet të jenë “modernë” sepse përndryshe do të mbetemi prapa trendeve botërore, ku vlera matëse është marrëdhënia e njeriut me gjërat materiale e me pasurinë dhe në të cilën njerëzit që merren me veprime të tilla çnjerëzuese konsiderohen me vlerë. Duke i lexuar hadithet në lidhje me muzikën dhe këngën, kuptojmë se rezultatet që sjellin këto veprime janë të dëmshme. Pavarësisht në është i ri ose plak, mashkull ose femër, besimtar ose jobesimtar njeriu, atmosfera ku ka këngë dhe muzikë e shkatërrojnë ndjenjën e turpit tek ai, i ndezin epshet dhe e rrisin hipokrizinë. Në të vërtetë, hipokrizia s’është tjetër veçse gjendja në të cilën njeriu është i kthyer dret mëkatit dhe devijimit e i larguar nga vetëdija për Zotin dhe për vlerat që e bëjnë njeriun njeri.


Përndryshe, kjo është arsyeja përse është thënë në hadithe se ëngjëjt nuk hynë në një dhomë ku këndohet e bëhet muzikë, ngase ato janë qenie të pastra, të cilat nuk kanë vend në hapësirat ku djalli rri ulur në vendin e nderit dhe ku kodi i tij i i sjelljes pranohet me shumë zell (kjo informatë vlen vetëm për besimtarët. Përndryshe, për ata që nuk besojnë ajo nuk ka kurrfarë rëndësie).


2. Pengimi nga të përmendurit e Zotit Argëtimi është një atmosferë e përsosur për ta harruar Zotin e Madhëruar sepse pikërisht në këtë atmosferë, mendja e njeriut është e turbullt, epshet ia sundojnë trupin, djalli ia imponon ritmin e tij nëpër damarët e mendjes dhe rezultati i gjithë kësaj është vërtet i mjerueshëm. Në hadithe thuhet se çdo gjë që sjell pavetëdije ndaj Zotit (arab. gaflet), është e dëmshme. Kjo tregon sa është vërtet cilësia e manifestimeve “moderne dhe kulturore” të rrëkesë së njerëzve të shfrenuar që këndojnë.


Efekte shkatërrimtare për nervat Argëtimet me muzikë dhe me këngë janë një mjet shumë i fortë kur bëhet fjalë për shkatërrimin dhe për neutralizimin e sistemit nervor të njeriut. Ka shumë metoda për ta shkatërruar sistemin nervor. Ndonjëherë, kjo mund të arrihet nëpërmjet alkoolit, ndonjëherë nëpërmjet kokainës, ndonjëherë nëpërmjet morfinës ose heroinës dhe ndonjëherë nëpërmjet muzikës. Ndikimet dhe pasojat që sjell muzika janë të pamohueshme.


Ka programe të zhvilluara shkencore, qëllimi i të cilave është studimi i efekteve të muzikës, studimi i takteve dhe studimi i tempove të ndryshme mbi trurin njerëzor. Përse në luftërat e mëhershme, instrumentet kanë qenë një copë e pashmangshme e pajisjeve? Sepse nëpërmjet muzikës, morali i trupave mund të ngritet. Përse në shumë burgje u lëshohet të burgosurve ndonjë lloj i tmerrshëm muzike? Që të mund të thyhet vullneti i tyre dhe të mund të riedukohen. Disa lloje të reja të muzikës kanë pasoja negative tek nervat, të cilat shkojnë aq larg sa të rinjtë bëhen vdekjeprurës për veten dhe për rrethin e tyre. Ekipe të tëra ekspertësh anembanë globit që merren me studimin e muzikës na mjaftojnë për të treguar se ç’efektesh të fuqishme mund të ketë muzika mbi nervat tona.


Ndonjë lloj muzike ka ndikim më të shpejtë, ndonjë lloj ndikim më të ngadaltë. Por sidoqoftë, ndikimi është gjithnjë i pranishëm. Duke e patur parasysh filozofinë e krijimit, qëllimi i të cilës përbëhet nga njohja e Zotit, është e lehtë të kuptohet se gjithçka që e pengon njeriun nga arritja e këtij qëllimi duhet të çrrënjoset.


Përkundrazi, njeriu kurrë s’do ta arrijë njohjen dhe kurrë nuk do të jetë një njeri i vërtetë. Është e qartë se nuk janë duart, këmbët, hunda, flokët ose organet e tjera që na bëjnë njerëz. Ne jemi njerëz ngase posedojmë një intelekt që nuk na është dhënë për ta shkatërruar por për ta përdorur si një bazë mbi të cilën mund t’i zhvillojmë vlerat themelore morale dhe shpirtërore.


Muzika është një mjet që u shërben interesave të disa njerëzve megalomanë, të cilët nuk duan që njerëzit të jenë të edukuar, të moralshëm, të sinqertë, të urtë e me qëllime të mira.


Fuqitë megalomane të botës dhe “sunduesit” (qoftë në kuptimin territorial, tregtar, emocional, politik ose shkencor) s’kanë dashur kurrë që të jetë i zgjuar njerëzimi dhe aq më pak, rinia. Jo vetëm që nuk e duan një gjë të tillë, ata edhe e urrejnë këtë dhe pikërsht për këtë arsye, qëllimi i programeve, nëpërmjet të cilave mbahet e freskët gjendja e turbullt mendore e njerëzve ose evolucioni regresiv moral, është pikërisht fundosja e shoqërisë në mosinformim dhe pavetëdije, paralelisht me imponimin e “vlerave” të ndryshme nëpërmjet argëtimit, orgjive, imoralitetit, filmave, muzikës dhe serialeve të ndryshme. Për shembull, droga nuk është vetëm një lloj tregtie por njëkohësisht edhe mjet i fuqishëm politik. Shiheni vendin tonë (bëhet fjalë për Bosnjen dhe Hercegovinën), i cili nuk është një vend bregdetar dhe nuk është i izoluar.


Ai është i rrethuar nga vendet fqinje por përnjëherë, vërejmë se kthehet në një udhëkryq të tregtisë me drogë. Nga vjen kjo? Mos vallë bëhet fjalë për teleportacion, ku droga përnjëherë shfaqet diku në vendin tonë, për t’u përhapur më pas nëpër Evropë? Ose vallë kemi të bëjmë me një “mbyllje” të qëllimshme të njërit sy në kalime të caktuara kufitare, nëpërmjet të cilave droga arrin deri tek të rinjtë tanë, të cilët jetojnë një jetë të pacaktuar ndërmjet kafeneve, diskotekave dhe vendeve të tjera të argëtimit, ku pa drogën “thjesht s’argëtohet dot njeriu”? I njejti mendim vlen edhe në lidhje me instrumentet.


Pra, nëse një instrument është prodhuar që të përdoret në krijimin e një atmosfere imorale, e cila do ta çonte njeriun drejt mëkatit, ai është i ndaluar dhe rreptësisht ndalohet përdorimi i tij. Në vijim do të përcjellim disa hadithe nga i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij): “Vërtet Zoti më ka bërë të Dërguar vetëm si mëshirë për botët dhe unë do t’i çrrënjos instrumentet, fyellin dhe të gjitha gjërat e kohës së Injorancës.” “Dy zëra janë të mallkuar edhe në botë edhe në amshim: të kënduarit në mirëqenie dhe të vajtuarit në fatkeqësi.” “Këndimi është magjia e imoralitetit.” Përveç kësaj, Imam Sadiku ka thënë: “Këndimi është nga gjërat, për të cilat Zoti e ka garantuar zjarrin në fjalët e Tija: Dhe ka njerëz që blejnë fjalë të kota për argëtim, për të larguar nga rruga e Zotit pa ditur. Të tillët i pret dënimi i turpshëm...(Kur’an 31:6)


 

Kthehu