Pyetje dhe Përgjigje

Lidhur me familjen dhe fëmijët e Imam Aliut (a.s)
Selam Alejkum vëllezër! A mund të më informoni pak më tepër lidhur me jetën e Hz. Aliut, veçanërisht lidhur me familjen dhe pasardhësit e tij?

I nderuar,


Në vijim do t′ju japim disa informata të hollësishme lidhur me familjen dhe pasardhësit e Imam Aliut (a.s). Lidhur me biografinë e tij, ju lutemi shiheni veprën "Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve" (http://www.dielli.net/lexo.php?id=73), ku përshkruhet lindja dhe zhvillimi i Islamit, si dhe roli i Imam Aliut (a.s) në këtë periudhë.


 PRINDËRIT, VËLLEZËRIT DHE MOTRAT


  Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ishte djali i Ebu Talibit, xhaxha i Muhammedit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe kujdestar i tij pas vdekjes së gjyshit të tij, Abdu′l-Muttalibit. I Dërguari i Zotit (s.a.a) u rrit në shtëpinë e Ebu Talibit, nën përkujdesjen e tij dhe të të shoqes, Fatima bint Esad, e cila ishte njëherit edhe nëna e Imam Aliut (a.s).


   Pas shpalljes hyjnore, Fatima bint Esad ishte gruaja e dytë që e pranoi Islamin, menjëherë pas Hatixhes. Në anën tjetër, Ebu Talibi ishte ndër muslimanët e parë dhe mbrojtësi i Muhammedit (s.a.a) dhe i Islamit në 13 vitet e para të misionit hyjnor të të Dërguarit të Zotit.


Imam Aliu (a.s) kishte tre vëllezër (Talibi, Akili dhe Xhaferi) dhe dy motra (Fahita dhe Xhumana).


 


BASHKËSHORTET DHE FËMIJËT


Gruaja e parë e Imam Aliut (a.s) ishte Hz. Fatimeja (a.s), me të cilën pati tre djem dhe dy vajza. Në të gjallë të saj, nuk u martua me ndonjë grua tjetër. Djemtë e tij me Hz. Fatimenë (s.a) janë Imam Hasani (a.s), Imam Husejni (a.s) dhe Muhsini (i cili vdiq në bark, pa lindur), ndërsa vajzat janë Zejneb bint Ali dhe Umm Kulthum bint Ali. Pasardhësit e Imam Aliut (a.s) nga Fatimeja (a.s), duke qenë njëherit edhe vazhdimësia e sojit të Profetit Muhammed (s.a.a), janë dalluar përgjatë historisë islame me titullin sejjid ose sherif.


  Pas vdekjes së Hz. Fatimesë (a.s), Imam Aliu u martua dhe me gra të tjera dhe pati shumë fëmijë. Sipas disa burimeve, Imam Aliu (a.s) pati plot 27 fëmijë. Në vijim do t′i përmendim disa nga gratë e tija dhe fëmijët e tij, të cilët janë shënuar në histori.


 Me Khavla bin Xhaferin e pati djalin Muhammedin, i cili u bë i njohur në histori si Muhammed ibn el-Hanefijje dhe pati një rol të rëndësishëm, si në betejat gjatë kalifatit të Imam Aliut, ashtu edhe në ndodhitë politike pas rënies dëshmor të Imam Husejni (a.s), veçanërisht gjatë revoltës së Mukhtar el-Thakafiut kundër regjimit tiran të umajjadëve.


 Me zonjën Fatima bint Hizam el-Kilabijja (të njohur si Ummu′l-Benin, pra "nëna e djemve") i pati djemtë Abbasin, Abdullahun, Musën dhe Xhaferin. Mes tyre, më i shquari është Abbas ibn Aliu (a.s), i cili njihet si njëri nga dëshmorët më madhështorë të Islamit dhe ishte komandant i trupave të Imam Husejnit (a.s) në betejën e Qerbelasë.


 Me zonjën Umama bint Ebu′l-As, i pati djemtë e quajtur Hilal, Aun dhe Muhammed el-Evsat.


Përveç të mësipërmëve, Imam Aliu (a.s) pati edhe disa djem dhe vajza, emrat e të cilëve mund të gjenden në librat e historisë.


Përveç këtyre, vlen të përmendet edhe emri i Muhammed ibn Ebu Bekrit, i cili ishte djali i Ebu Bekrit por u adoptua nga Imam Aliu (a.s) pas vdekjes së të parit, kur ai (a.s) u martua me të venë e Ebu Bekrit, Esma bint Umejs. Muhammed ibn Ebu Bekri ka një rol të rëndësishëm në historinë islame, veçanërisht në periudhën e kalifatit të Imam Aliut (a.s), si një aktivist i rëndësishëm i kauzës së Aliut, i cili ra dëshmor nga shpata e Amr bin As-it në Egjipt, gjatë konfliktit ndërmjet Imam Aliut (a.s) dhe Muavijes. 


 Me respekt! 


Libraria Dielli
www.dielli.net 

Kthehu