Pyetje dhe Përgjigje

Transplantimi dhe dhurimi i organeve

Selam Alejkum! A lejohet në fenë islame transplantimi i organeve, qoftë për marrësin ose për dhuruesin e organit? Zoti ju shperbleftë për punën e mahnitshme që bëni!

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!




 

  Alejkum selam i nderuar,

 

  Donacioni i organeve për të shëruar një të sëmurë ose për t′i shpëtuar jetën një tjetri është i lejuar sipas ligjit islam. Në vijim po jua përcjellim mendimin e dijetarit të shquar bashkëkohor të jurispudencës islame, Sejjid Ali Khamenei, i cili thotë:

  

   Nuk ka asgjë të keqe nëse personi, deri sa është gjallë, e dhuron ose e shet një organ të vetin, me qëllim që ky organ t′i sjellë dobi një të sëmuri, për sa kohë që ky transplantacion nuk përbën një kërcënim serioz për shëndetin e vet. Madje, nëse të shpëtuarit e një jete të çmueshme varet nga kjo gjë dhe nëse nuk ka një rrezik serioz për dhuruesin, atëherë një veprim i tillë bëhet i detyrueshëm. 

 

(Khamenei, "Pyetje dhe fetva sipas jurispudencës së Ehl-i Bejtit", botimi turqisht, vëll.2, f.70) 

 

  Përveç kësaj, njeriu mund ta lërë si amanet në testamentin e tij, që pas vdekjes, organet e tija t′u dhurohen nevojtarëve dhe kjo është e lejuar, me kusht që ndërhyrja të mos jetë e llojit që do të konsiderohej masakrim i një trupi të vdekur, pra të mos priten pjesë si buzët, hunda ose syri, të cilat do të konsideroheshin një ofendim ndaj trupit të një besimtari dhe do ta ulnin dinjitetin e tij. (Burimi i mësipërm, vëll.2, f.71)

 

  Duhet të kihet parasysh se lidhur me pikën e dytë, pra dhurimin e organeve pas vdekjes, ka dallime të vogla dytësore në mesin e dijetarëve të ndryshëm të ligjit islam, ndonëse të gjithë janë në pajtim se të shpëtuarit e jetës së një muslimani e arsyeton transplantimin e organeve nga një i vdekur. Dallimet ekzistojnë, siç thamë, në çështjet dytësore dhe lidhur me nevojën për të paguar ose jo dëmshpërblim për ndërhyrjen e kryer. (shih p.sh. Sejjid Ali Sistani, "Çështje aktuale ligjore", kapitulli: Rregullat e transplantacionit; botimi anglisht: http://www.sistani.org/english/book/45/1985/)

 

 Me respekt!

  

____________________

Libraria Dielli





Kthehu