Pyetje dhe Përgjigje

Lidhur me përkujtimin e ndodhisë së Qerbelasë dhe qëndrimin shi′it mbi shokët e Profetit (s.a.a)

Pse e Rrehni Veten e preni dhe e xhakosni ne Qerbela ? a thu keshtu Veproj Pejgamberi jone ??? Apo urdheroj qe nese ndonja nga Imamet prehet ne bes te bejm keshtu te prejm edhe ne Veten. Mendoni pak o shija te Qmendur mendoni se nje dite keni me dhan Llogari pa Allahut E Alia Huesjni e te gjith keta pasardhes te pejgamberit kan me ju shiqu aq Mrrolt dhe Allau ka per tjav rendu Denimin per shpifjet qe po i bani Aliut husejnit Hasanit e shum te tjerve. Sahabet e pejgamberit ishin aq te drejt dhe ju i shani i fyeni dhe duke fyr sahabet njerzt me te ngusht te Resulit mendoni se i Afroheni Allahut. SubhanAllah SubhanaAllah. Allahu ju udhzoft.h

Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!




 I nderuar,

 

 Fillimisht ju kërkojmë falje për përgjigjen e vonuar. Pyetjet, si ajo që keni parashtruar ju, të mbushura me paragjykime dhe urrejtje ndaj mësimit të Ehl-i Bejtit e ndaj ndjekësve të këtij mësimi, nuk janë prioritet i veprimtarisë sonë. Libraria Dielli e ka mbajtur gjithnjë qëndrimin se muslimanët duhet të qëndrojnë larg polemikave dhe të krijojnë një atmosferë dialogu, e cila do të mundësojë njohje të ndërjsellë dhe eliminim të paragjykimit. Megjithëkëtë, do të përpiqemi, që në një mënyrë logjike dhe të sjellshme, t′ju shpjegojmë disa pika të rëndësishëm të traditës shi′ite, të cilat me sa duket, i keni keqkuptuar tërësisht. Ju lutemi, për hir të Zotit, që ta lexoni deri në fund këtë porosi.

 

 Në porosinë tuaj kishte dy pika të rëndësishme dhe në këtë e-mail do të përpiqemi t′i përgjigjemi secilës një nga një:

 

1.Mbi ritualet e përkujtimit të ndodhisë së Qerbelasë 

Duhet fillimisht të kuptoni se përkujtimi i ndodhisë së Qerbelasë nuk është një veprim fetar dhe nuk është një akt adhurimi. Mënyra se si njerëzit e përkujtojnë këtë ndodhi dhe metodat që përdorin, burojnë zakonisht nga prapavija kulturore e tyre. Veprimi që ju keni përmendur, gjegjësisht goditja me thikë ose me zinxhirë, është një veprim i përhapur kryesisht në Pakistan, Afganistan dhe në pjesë të Irakut. Kjo traditë popullore është ndaluar nga shumica e dijetarëve shi′itë, duke u mbështetur në faktin se e dëmton trupin e njeriut dhe e njollos imazhin e Islamit dhe të medh′hebit shi′it në botë. Në mesin e dijetarëve bashkëkohorë, Sejjid Ali Khamenei, Sejjid Ali Sistani, Sejjid Muhammed Husejn Fadlallah dhe Fazel Lankenrani janë vetëm disa nga emrat më të rëndësishëm që e kanë ndaluar dhe e kanë dënuar këtë veprim.

 

Megjithatë, vetë përkujtimi i ndodhisë së Qerbelasë nuk ka asgjë joislamike në të. Përcillet se në kohën e të Dërguarit (s.a.a), fill pas betejës së Uhudit, në të gjitha shtëpitë medinase u mbajtën ceremoni vajtimi e përkujtimi për dëshmorët e Uhudit. Madje, me të parë se nuk kishte asnjë njeri që të qante për xhaxhain e tij Hamzën (r.a), i Dërguari (s.a.a) e shprehu pikëllimin e tij. Me ta dëgjuar këtë, të gjithë medinasit u urdhëruan familjeve të tyre të mbanin zi për Hamzën. Pas kësaj, në vdekjen e çdo dëshmori musliman, ceremonia e përkujtimit dhe e zisë nisej duke e përkujtuar Hamza ibn Abdulmuttalibin (r.a). Ju lutemi hidhni një vështrim historisë së Taberiut dhe të Ibn Kethirit, për informata më të hollësishme.

 Përveç kësaj, përkujtimi i ndodhisë së Qerbelasë është një traditë e themeluar nga Zejnebja (s.a), e bija e Hz. Fatimesë (s.a) dhe e Imam Aliut (a.s), pra mbesa e të Dërguarit të Zotit (s.a.a). Historia përcjell unanimisht se ajo rregullisht organizonte ceremoni, në të cilat përkujtohej beteja e Qerbelasë dhe dëshmorët e kësaj ndodhie. Po kështu, të gjithë Imamët e Ehl-i Bejtit, duke nisur nga Imam Zejnu′l-Abidini (a.s), Imam Muhammed Bakiri (a.s) dhe Imam Xhaferi (a.s), kanë organizuar ceremoni të tilla dhe i kanë stimuluar njerëzit që të mbajnë zi e ta përkujtojnë ndodhinë e Qerbelasë. Tre emrat që përmenda, përveç që janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të të Dërguarit të Zotit (s.a.a), janë të mirënjohur si dijetarë të rëndësishëm edhe në botën e Ehl-i Sunnetit, në gjithë lëmejtë e diturisë islame. Mjafton të përmendim se vetë Ebu Hanifeja, themeluesi i medh′hebit hanefi, si dhe Malik bin Enesi, themelues i medh′hebit maliki, morën mësime pranë Imam Muhammed Bakirit (a.s) dhe Imam Xhaferit (a.s) dhe kishin një respekt të veçantë për këta Imamë të Ehl-i Bejtit.

 

  Nuk besojmë se ju ose ne, ose cilidoqoftë dijetar i sotëm ka një autoritet më të madh se këta dijetarë të shquar të Islamit, të cilët jo vetëm që nuk e kanë ndaluar përkujtimin e rënies dëshmor të Imam Husejnit (a.s) por edhe e kanë stimuluar atë. Duhet të kihet parasysh se qëllimi i këtij rituali nuk është vajtimi ose goditja e vetvetes, por përkujtimi dhe mbajtja gjallë e mësimit të Qerbelasë, e mësimit të sakrificës në rrugë të Zotit, i cili mishërohet më së bukuri në sakrificën e Imam Husejnit (a.s) dhe të shokëve të tij. Injoranca dhe prapambeturia e grupeve të caktuara, të cilat tepërojnë në mënyrën se si e përkujtojnë këtë ngjarje, nuk guxon të jetë një arsyetim për të hequr dorë krejtësisht nga përkujtimi i Qerbelasë dhe për ta harruar porosinë madhështore që Imam Husejni (a.s) ia la trashëgim botës islame.

 

  2. Ofendimi i sahabeve

Fillimisht duhet të pranojmë se shkolla shi′ite ka një qëndrim të ndryshëm lidhur me sahabet dhe, duke u mbështetur në hadithet e përcjellura nga i Dërguari (s.a.a) nëpërmjet Ehl-i Bejtit, si dhe në shkrimet e historianëve muslimanë, nuk pajtohet me idenë se të gjithë shokët e të Dërguarit (s.a.a) ishin në rrugë të drejtë dhe të barabartë me njëri-tjetrin. Si pasojë, për dallim nga sunnizmi, në botën shiite ka pasur dhe vazhdon të ketë analiza historike, të cilat e shqyrtojnë hollësisht historinë islame dhe bëjnë vlerësime objektive dhe kritika të rolit të shokëve të ndryshëm të Profetit (s.a.a). Në kontekstin e kësaj analize historike, për dallim nga sunnitët, tek shiitët nuk ekziston parimi i paprekshmërisë së shokëve të Profetit dhe i barazisë së tyre. Si pasojë, disa nga shokët e Profetit (s.a.a), duke u mbështetur në veprimet e tyre dhe në faktet historike, janë kritikuar ashpër.

 

Megjithatë, shumica e dijetarëve të sotëm shi′itë, janë të një mendimi se, për hir të ruajtjes së unitetit të muslimanëve, është e ndaluar të fyhen, jo vetëm sahabet por edhe të gjitha vlerat e Ehl-i Sunnetit. Kuptohet, kjo nuk e ndalon analizën objektive dhe shkencore të historisë islame. Këtu vlen të përmendim se informatat lidhur me veprimtarinë e sahabeve burojnë, thuajse pa përjashtim, nga vetë burimet e Ehl-i Sunnetit dhe nga historianët e shquar sunnitë, si Taberiu, Jakubiu, Ibn Kethiri, Ibn Is′haku etj. Ka pasur madje dhe dijetarë sunnitë, si Ibn Ebi′l-Hadidi ose Taha Hussein, të cilët kanë qenë tejet kritikë ndaj disave prej shokëve të profetit.

 

 Ajo që shprehëm më sipër është qëndrimi i përgjithshëm i mendimtarëve më të rëndësishëm shi′itë, mes të cilëve Sejjid Ali Khamenei, Sejjid Ali Sistani dhe Sejjid Muhammed Husejn Fadlallah, kanë botuar fetva shumë të qarta dhe të rrepta, të cilat e ndalojnë ofendimin e të gjitha vlerave të Ehl-i Sunnetit. 

 Për fat të keq, në mesin e shiitëve ekzistojnë grupe të caktuara, kryesisht të financuara dhe të përkrahura nga bota perëndimore, të cilët i ofendojnë shokët e të Dërguarit të Zotit (s.a.a) dhe madje disa nga gratë e tija. Dijetarët më të rëndësishëm shi′itë janë distancuar qartësisht nga njerëzit e tillë dhe madje disa prej tyre i kanë quajtur munafikë. Ndaj ju lutemi që, para se të arrini në një përfundim të caktuar, të hulumtoni më hollësisht dhe të kuptoni se cilët janë autoritetet e vërteta në botën shiite dhe çfarë qëndrimi kanë ata. Grupet e tilla ekstremiste, si në botën sunnite, ashtu edhe në atë shiite, nuk kanë qëllim tjetër veçse të rrisin edhe më shumë urrejtjen dhe gjakderdhjen mes muslimanëve, në shërbim të forcave të huaja e të dobësimit të Islamit. Për fund, dua të citoj një thënie shumë kuptimplote të Ajetollah Khomeinit, i cili thotë: "Ndërkohë që muslimanët vriten ndërmjet veti lidhur me dallimin se ku duhet të vendosen duart në namaz, armiqtë e Islamit bëjnë ç′mos për t′i prerë këto duar." 

 

 Për pyetje të mëtejme lidhur me mësimet e Ehl-i Bejtit, mund të na kontaktoni në çdo kohë në këtë e-mail adresë.

 

Paqja qoftë mbi ata që ndjekin udhëzimin!


____________________

Libraria Dielli






Kthehu