Pyetje dhe Përgjigje

Dua ta jap zeqatin a lejohet qe pagesa te behet pjese-pjese d.m.th. deri ne fund te vitit pjese-pjese te paguhet ne teresi? Dhe a lejohet dhenja e zeqatit vellaut?

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!

  E nderuar,

   Për pyetjen tuaj hulumtuam në faqet e dijetarëve të njohur të ligjit islam, Sejjid Ali Sistani dhe Sejjid Muhammed Husejn Fadlallah. Andaj po ju përgjigjemi me rradhë.
  


Fillimisht në lidhje me pyetjen tuaj të parë, duhet të pranojmë se është e palogjikshme. Kjo sepse zeqati bëhet detyrim (farz) mbi pronën e caktuar të një personi, nëse kjo pronë ose pasuri (për të cilën është detyrim të paguhet zeqati) mbetet në pronësi të personit për 11 muaj me rradhë dhe është akoma në pronësi të tij, me fillimin e muajit të dymbëdhjetë. Me fillimin e muajit të dymbëdhjetë, pagesa e zeqatit për këtë pronë bëhet detyrim (farz) dhe personi duhet ta paguajë sa më parë këtë sasi. Vonesa e pagesës nuk është e pëlqyeshme, përveç nëse personi e pret ardhjen e ndonjë personi të caktuar të varfër, të cilit ka dëshirë t′ia paguajë sasinë. Pra, nëse ju nuk jeni në pronësi të sasisë së caktuar që duhet të paguhet si zeqat, atëherë do të thotë se nuk është detyrim mbi ju pagesa e zeqatit. Dhe nëse jeni në pronësi të sasisë dhe e keni ndarë atë për zeqat, atëherë kjo sasi nuk mund të përdoret me qëllime të tjera dhe duhet të përdoret për zeqat. 

   Në lidhje me pjesën e dytë të pyetjes: zeqati nuk mund t′i paguhet një familjari, i cili është nën përkujdesjen e personit. Këtu zakonisht përfshihen fëmijët, nipërit, bashkëshorti ose bashkëshortja, prindërit dhe gjyshi ose gjyshja. Kjo ndalesë i përfshin nevojat e përditshme të personave, të cilat sipas ligjit islam, janë një detyrim i personit. Por nëse bëhet fjalë për një nevojë që është përtej nevojave të përditshme, atëherë paratë e zeqatit mund të përdoren për këtë qëllim. Për shembull, njeriu mund nëpërmejt zeqatit ta paguajë borxhin e babait të tij ose anasjelltas.


Nëse motra ose vëllai juaj nuk janë nën përkujdesjen tuaj, atëherë zeqati mund t′u jepet atyre.


    

  Me respekt!


_________________
Libraria Digitale "Dielli"
www.dielli.net

Kthehu