Pyetje dhe Përgjigje

Paqja qoftë mbi Muhammedin, mbi familjen e tij dhe mbi ndjekësit e tij të zgjedhur!

Ju përshëndes juve dhe redaksinë tuaj.

Pyetja ime është në lidhje me filozofinë e agjërimit. Përse agjërojmë? Ç’duhet të përgjigjemi kur dikush na e pyet këtë?

Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju! I nderuar!


I lutem Zotit që t’i pranojë veprat tuaja të mira dhe në veçanti agjërimin tuaj gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.


Që të mund të qartësohet pyetja të cilën ju e parashtruat, fillimisht duhet të shpjegohen disa pika.


Struktura e fesë Gjëja e parë që duhet ditur është se në të vërtetë, besimi përbëhet nga një sërë principesh dhe degësh të ndryshme, të cilat mbështeten në këto principe.


Principet e besimit janë “Teuhidi” ose besimi në Njëshmërinë e Zotit, besimi në profetësinë ose në faktin se ka patur njerëz që kanë ardhur në kontakt me botën e fshehur dhe kanë patur për detyrë ta përcjellin porosinë e Zotit të Vetëm, të cilin e besojmë me bindje dhe së treti, besimi në Ditën e Gjykimit, gjegjësisht në faktin se pas shkatërrimit të kësaj bote, do të vijë një ditë kur të gjitha krijesat e vetëdijshme, si njeriu ose xhinnët, do të ringjallen për t’u shpërblyer për veprat e tyre të mira ose për t’u dënuar për të ligat që kanë kryer. Për këto tri principe themelore, njeriu duhet të bindet nëpërmjet argumenteve dhe dëshmive të ndryshme.


Dhe degët e ndryshme të fesë, të cilat përfshihen në kategorinë e rregullave etike, mbështeten sërish në këto principe themelore. Përse duhet ta falim namazin? Përgjigja e thjeshte është: ngase i Dërguari i Zotit na ka përcjellur se Zoti ka urdhëruar një gjë të tillë. Përse duhet të agjërojmë? Sepse Libri që i është shpallur të Dërguarit të Zotit si udhëzim për njerëzimin, urdhëron qartë që të agjërohet në rrethana të caktuara.


E njejta ndodha edhe me urdhrat e tjerë të fesë, qofshin ata në lidhje me etikën ose jashtë saj. Urtësia që fshihet pas urdhrave Ndonse ne duhet në mënyrë të pakontestueshme t’i pranojmë dhe t’u bindemi urdhrave (thjesht ngase ata janë urdhra të vetë Zotit), Zoti i Madhëruar na ka shpjeguar edhe urtësinë që fshihet pas këtyre urdhrave, pas këshillave për veprime të pëlqyeshme, pas ndalesave ose pas këshillave për veprat e papëlqyeshme.


Qëllimi i kësaj është që njeriu, duke i kuptuar këto urtësi, t’i kryejë me më shumë zell këto urdhra. Një tjetër arsye e kësaj është që nëpërmjet gjurmëve që lënë këto urdhra dhe ndalesa, të mund të shohim se sa të suksesshëm jemi në kryerjen e tyre, gjegjësisht në qëndrimin larg ndalesave.


Të supozojmë se dikush u sëmur dhe shkoi tek një mjek. Mjeku, duke u mbështetur në diagnozën e sëmundjes, i shkruan të sëmurit një recetë me ilaçet përkatëse. Pas disa ditësh, mjeku pyetet për gjendjen e të sëmurit. Nëse sheh se ilaçet kanë patur ndikim dhe se gjendja e të sëmurit është përmirësuar, ai e kupton se diagnoza e tij ka qenë e drejtë dhe se ilaçet kanë patur ndikim përballë sëmundjes. Por nëse sheh se nuk ka patur kurrfarë efekti dhe se përkundrazi, gjendja e pacientit është përkeqësuar, ai kupton se e ka gabuar diagnozën dhe se ilaçet nuk kanë patur ndikim përballë sëmundjes në fjalë.


Kur kryhen veprime të caktuara adhurimi si namazi, haxhxhi, xhihadi, ruajtja e marrëdhënieve familjare dhe të ngjashme, ato duhet të lënë një përshtypje të caktuar tek njeriu, prej të cilës ai mund të kuptojë në pranohen këto vepra të tija dhe në janë kryer si duhet. Tani do të përmendim disa vargje nga Kur’ani Fisnik dhe disa thënie të të Dërguarit të Zotit e të Imamëve të Ehl-i Bejtit (paqja qoftë mbi ta), të cilat kanë të bëjnë pikërisht me agjërimin. Në këtë mënyrë, do të njihemi më së afërmi me filozofinë e agjërimit dhe me urtësinë që fshihet pas këtij urdhri hyjnor.


Në lidhje me agjërimin, Kur’ani thotë: O ju që besuat! Agjërimi është caktuar edhe për ju, njësoj si për ata që erdhën para juve. Mbase do të ruheni... (Kur`an 2:183) Ç’është “takva” (e përkthyer në vargun e mësipërm me shprehjen “ruheni”)? “Takva” është fuqia dhe potenciali që ekziston në shpirtin njerëzor, për ta çuar atë drejt të mirës dhe drejt asaj që është në interes e në dobi të tij. Është një fuqi që e mbron atë nga e liga dhe nga gjithçka e ligë.


Takva-ja është si një energji në trupin njerëzor, e cila e çon atë drejt fitores dhe e shpëton nga disfata përballë kundërshtarit. Ndikimet e takva-së: - përfitimi nga udhëzimi i librave hyjnorë: Ky është Libri për të cilin s’ka dyshim dhe udhëzuesi për ata që ruhen...(Kur’an 2:2) - afërsia me Zotin dhe përfshirja nga mëshira dhe dashuria e Tij Vërtet Zoti i do ata që ruhen...(Kur’an 9:4) - ndihma dhe përkrahja e gjithë sistemit të krijimit Dhe vërtet Zoti ka për t’i bërë të dashur ata që besojnë e që bëjnë vepra të mira...(Kur’an 19:96) - zgjidhja e problemeve dhe e vështirësive në këtë jetë materiale Dhe atij që i druhet Zotit, Ai ka për t’i gjetur rrugëdalje dhe ka për ta furnizuar andej nga s’e pret...(Kur’an 65:2-3) - triumfi përballë komploteve, problemeve dhe pengesave të armikut Dhe kushdo që i druhet Zotit e që duron, vërtet Zoti s’ia çon dëm shpërblimin asnjërit që vepron mirë...(Kur’an 12:90)


Si përfundim, mund të themi se takva-ja (të ruajturit nga e liga) është një fuqi e madhe, e cila po të gjendet tek njeriu, është e aftë ta çojë njeriun drejt përsosmërive dhe kënaqësive që janë shumë përtej kësaj bote materiale e ta lidhë atë me botën e përjetshme, duke e çliruar njëkohësisht edhe nga rreziku i vepruesve në këtë botë materiale. Pikërisht agjërimi është njëra nga mënyrat për ta arritur këtë fuqi aq të nevojshme për njeriun.


Ndikimet e agjërimit:


1. Takva-ja Shpjegimet e nevojshme për këtë temë i dhamë pak më sipër. Kuptohet, në Kur’anin Fisnik janë përmendur edhe shumë ndikime të tjera të këtij virtyti (qofshin personale, shoqërore, materiale ose shpirtërore), të cilat kërkojnë fillimisht një hulumtim shumë më të gjerë, që të mund të shpjegohen në tërësi dhe së dyti, kërkojnë që, me lejen e Zotit, të praktikohen edhe në jetën e përditshme për të arritur efekte të vërteta shpirtërore.


2. Hyrja në rrugën e të qenit njeri Në mesin e ndikimeve të agjërimit, të cilat janë përmendur në hadithet e të Dërguarit të Zotit, është edhe hapërimi i njeriut në atë rrugë që është e përshtatshme për njerëzinë e tij. Këtu nënkuptojmë se njeriu, kur nuk i njeh kufijtë e tij, përherë ndjehet së tepërmi i pavarur dhe i fuqishëm dhe është i bindur se mund të arrijë gjithçka. “Vërtet njeriu i kalon kufijtë, sapo të ndihet i pavarur...” (Kur’an 96:6-7) Agjërimi bën që dobësia dhe pafuqishmëria ta nënshtrojnë njeriun. Gjatë agjërimit, uria, etja dhe abstenimi nga çdo kënaqësi e epsheve, e shpëton njeriun nga ajo ndjesi fuqie dhe pavarësie, që të mund t’ia kujtojë të varfërit dhe njëkohësisht edhe Ditën e Gjykimit dhe gjithçka tjetër që do t’i duhet në amshim. Me këtë, njeriu fillon të ndjehet nevojtar. Pikërisht kjo ndjenjë e risjell atë në rrugën e drejtë dhe e akutalizon kërkimin e nevojave të tija esenciale, gjegjësisht rrugëtimin e robërimit përpara Zotit dhe atë të shërbimit ndaj krijesave të Tija.


3. Zhvillimi i fuqisë së vullnetit dhe aftësia për të marrë vendime Ajo që njeriut i duhet më së shumti në jetë është një vullnet i fuqishëm, marrja e vendimeve serioze në jetë (qofshin materiale ose shpirtërore, personale ose shoqërore) dhe njëkohësisht, edhe vendosmëria për t’i praktikuar dhe realizuar vendimet e tija. Për shembull, që të mund ta kontrollojë si duhet jetën familjare ose martesore (dhe madje çdo formë tjetër udhëheqësie) njeriu duhet domosdo të ketë një vullnet të fuqishëm. Është shumë e natyrshme që në jetën e tij, njeriu të përballet me probleme të ndryshme. Për këtë arsye, pra për t’u përballur me to, ai duhet të jetë i vendosur dhe i durueshëm. Nga ana tjetër, fuqia e vullnetit është një tipar shpirtëror, i cili kërkon domosdo kultivim dhe përsosje të mëtejme. Agjërimi është pikërisht njëra nga mënyrat për ta përforcuar fuqinë e vullnetit njerëzor. Kur për një muaj me rradhë, njeriu, në mënyrë vullnetare të abstenojë nga gjërat me të cilat është mësuar shpirti i tij (si ushqimi, pijet, gjumi etj), kjo do ta fuqizojë vullnetin e tij dhe do ta bëj njeriun të durueshëm përballë vështirësive që ngjajnë rreth tij.


4. Shpërblimi nga Zotit Njëri nga faktorët dhe njëherit edhe pasojat që përmenden në lidhje me agjërimin, është edhe shpërblimi që e pret njeriun që agjëron. I Dërguari i Zotit ka thënë: Kur agjëruesi të përballet me një njeri, i cili sillet keq me të dhe t’i thotë:”Unë s’u përgjigjem këtyre fjalëve lënduese sepse jam duke agjëruar. Do të duroj përballë ofendimeve tua...”, Zoti i Madhëruar u thotë ëngjëjve: “O ëngjëj! Dëshmoni se ky njeri nuk iu përgjigj atij që e ofendonte vetëm ngase ishte duke agjëruar. Andaj, Unë kam për ta shpëtuar atë nga zjarri i ferrit dhe kam për t’i dhënë vend në Parajsën e përjetshme.” Po të gjykojmë sipas kësaj thënieje, do të shohim se agjërimi mund të jetë burimi i shumë ndikimeve dhe bekimeve të Zotit, të cilat janë të pakrahasueshme me pasuritë e kësaj bote.


5. Korigjimi i mangësive morale Një efekt tjetër i përmendur në burimet islame në lidhje me agjërimin është edhe krahasimi, sipas të cilit agjërimi është si një flakë që brenda njeriut, e cila djeg dhe shkrin çdo ndotësi, njësoj si zjarri që e shkrin hekurin, duke e përgatitur atë për ritrajtësimin dhe përpunimin e tij. Një grua, duke agjëruar, i tha disa fjalë ofenduese një gruaje tjetër, e cila ishte shërbetorja e saj. Këtë e dëgjoi i Dërguari i Zotit dhe i tha gruas: “Agjërimi nuk është vetëm abstenimi nga ushqimi dhe nga pija. Agjërimi duhet ta pengojë njeriun nga tradhëtimi, nga ndotja me mëkatet dhe duhet të bëjë që gjuha të qëndrojë larg fjalëve të pahijshme, të liga dhe jomorale.” Sipas kësaj, agjërimi është një mjet për t’i larguar papastërtitë morale. Po ta bëjë agjërimin ashtu si kërkon Islami, njeriu para Ramazanit duhet të jetë i pakrahasueshëm me veten e tij pas Ramazanit. Pas Ramazanit, njeriu është i fuqishëm, i druhet Zotit, ka një vullnet të fortë dhe është i pastër nga papastëritë, është i butë dhe i sjellshëm ndaj të tjerëve, u ndihmon të varfërve dhe nevojtarëve në shoqëri dhe i mbron të drejtat e robërve të Zotit. Pas agjërimit të mirëfilltë, njeriu është një krijesë që ka hapëruar rrugës së të qenit njeri dhe është stolisur me qindra tipare të tjera të shenjta.


Për fund, vlen të theksohet se Ramazani ndikon si një korigjues, si në moralin personal, ashtu edhe në moralin shoqëror të njeriut. Përveç kësaj, edhe në dimensionin ekonomik dhe material të tij. Edhe sikur vetëm sadakaja e fitrit, të cilën duhet ta paguajë çdo musliman, të mblidhej dhe të përdorej ashtu siç duhet, shoqëritë muslimane do të arrinin çdo vit të shënonin arritje të dukshme në industri, teknologji e ekonomi dhe të ndërtonin shkolla të reja, spitale, ura, rrugë dhe me këtë të zgjidhnin pafund probleme të shoqërive ku jetojnë. Por për fat të keq, ky kapital i madh shpirtëror dhe material i botës islame është duke u zhdukur për shkak të dobësisë së sunduesve të shoqërive islame. I lutemi Zotit që të na përfshijë në grupin e agjëruesve të vërtetë dhe të na zbulojë të gjithëve urtësinë dhe filozofinë e fshehur pas agjërimit!


6. Agjërimi si mburojë nga zjarri i ferrit I Dërguari i Zotit ka thënë: “Agjërimi është si një mburojë e pashpueshme, e cila do ta mbështjellë besimtarin në Ditën e Gjykimit dhe s’do ta lërë të digjet nga zjarri i ferrit.” Të qenit i mbrojtur nga zjarri i ferrit, s’do të thotë tjetër veçse hyrje në Parajsë. Sërish i Dërguari ka thënë se një agjërues do të ketë dy lumturi. Njëra është lumturia dhe falënderimi që ndjen ndaj Zotit kur me sukses e kryen urdhrin e tij të agjërimit. Por lumturia e tij e vërtetë dhe më e madhe do të jetë shpërblimi i të Zotit të tij, gjegjësisht shpëtimi nga zjarri i ferrit dhe hyrja në parajsë. Kjo do të thotë se lumturia e përjetshme dhe jeta e vërtetë është vetëm ajo që është pranë mëshirës Hyjnore dhe në shoqëri të profetëve dhe “miqve” (evlijave) të Zotit.


E lusim Zotin e Madhëruar që t’ju ndihmojë! Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

Kthehu