Pyetje dhe Përgjigje

A mund ta njohim Zotin e Madhëruar?

Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju!


Mënyra të njohjes së Zotit ka po aq sa ka edhe krijesa të Tija.


Çdo qenie ka në vete një shenjë nga Zoti, e cila e udhëzon në rrugën drejt Tij. “Rrugë drejt Zotit ka aq sa ka krijesa të Tij” (Bihar’ul-Enver) Nëse një person ka një mendje më filozofike, atëherë mund t’u drejtohet filozofëve, të cilët kanë dhënë me qindra argumente për njohjen e Zotit.


Libra të tillë ekzistojnë në shumë gjuhë dhe janë përhapur anembanë botës dhe madje deri në cepat më të largët të saj. Nëse dikush ka më shumë afinitet me Shpalljen Hyjnore, atëherë Kur’ani është argumenti i tij më i madh për njohjen e Zotit, sepse ai i udhëzon të gjithë njerëzit sipas rrugës që ata zgjedhin.


Kur’ani i udhëzon disa nëpërmjet urtësisë dhe argumenteve logjike, disa duke u ofruar përgjigje pyetjeve të tyre e disa të tjerë, nëpërmjet zemrës dhe njohjes së brendshme. Thënë thjesht, për çdo grup dhe çdo person, Kur’ani ka ofruar një udhëzim përkatës. Nëse dikush ka prirje drejt gnosës dhe rrugëtimit shpirtëror drejt Zotit, ai duhet të shohë se gnostikët, nëpërmjet Kur’anit dhe nëpërmjet mësimeve islame e kanë gjetur rrugën drejt njohjes së Zotit dhe drejt të kuptuarit të pranisë së Tij në zemrën njerëzore dhe në botë.


Të tillët kanë dhënë edhe udhëzime në lidhje me këtë sipërmarrje dhe nëpërmjet tyre, miliona njerëz e kanë gjetur rrugën drejt Zotit të Madhëruar dhe e kanë shijuar ëmbëlsinë e afërsisës dhe të dashurisë absolute. Nëse dikush është më i prirë për diskutimet shkencore, atëherë mund t’i shohë qindra mijëra shkencëtarët që gjatë historisë, duke i përdorur ligjet natyrore dhe marrëdhëniet e ndërsjella mes krijesave, kanë dhënë mijëra argumente për ekzistencën e Zotit dhe kanë udhëzuar drejt njohjes së Tij. Përveç kësaj, çdo përvojë personale e njeriut është vetë rruga e tij drejt Zotit.


I pyetur se si e kishte njohur Zotin, Imam Aliu tha: “E njoha Zotin nëpërmjet shkatërrimit të qëllimeve... dhe mohimit të dëshirave.” Këtu, Imam Ali dëshiron të thotë se shumë shpesh njeriu vendos të bëjë një gjë dhe i analizon mënyrat e ndryshme për t’ia arritur qëllimit, duke llogaritur se po të veprojë sipas planit, ka për ta arritur domosdo qëllimin e tij. Por shpejt, sheh se ky vendim i tij për të vepruar zhvleftësohet. Njeriu kupton se përveç vendimit dhe qëllimit të tij, ekziston edhe një vendim dhe qëllim sipëror, i cili mbisundon në univers. Ky është pikërisht vendimi dhe qëllimi që ka çuar deri në krijimin e kësaj bote, duke mos harruar gjatë gjithë kësaj se Krijuesi i botëve, është i njohur me vendimet dhe me qëllimet e ndryshme. Ambicjet për të arritur një qëllim të lartë janë të ndryshme. Ambicjet e larta arrijnë qëllime të larta kurse ato të ultat nuk arrijnë dhe aq shumë. Por ndonjëherë, edhe përkundër ligjeve të qarta dhe të padiskutueshme, gjërat ndodhin.


Nga kjo mund të shohim se është pikërisht Krijuesi dhe Sunduesi i kësaj bote që i kryen këto gjëra. Sipas asaj që u tha më sipër, përvojat personale, jeta individuale, zgjimi dhe fjetja, uria dhe ngopja, krenaria dhe modestia dhe të gjitha gjërat e tjera që njeriu i has në veten e tij, janë një dëshmi e ekzistencës së një fuqie të Përjetshme, e një Njohësi, dituria e të cilit nuk ka vend për padije. Janë shenjat e Bamirësit dhe Mëshiruesit, i cili kujdeset deri në hollësi për këtë botë dhe e sundon atë në mënyrën më të mirë. Njëra nga rrugët e njohjes së Zotit të Madhëruar është edhe fenomeni i veprimit dhe i kundërveprimit në jetën individuale, familjare dhe shoqërore. Njerëzit shtypës janë përherë robër të zinxhirëve të mizorisë së tyre. Në anë tjetër, të varfërit që e kanë përqëndruar zemrën dhe mendjen tek Zoti, gjithnjë korrin fitore.


Sot, zemra e shumicës së njerëzve është e mbushur me dashurinë për të dërguarit e Zotit, të cilat ishin shtypur nën mizorinë e shtypësve të ndryshëm, në rrethana ku nuk u mbeteshin thuase fare mundësi për të mbijetuar. Dhe sot, emrat Ibrahim, Musa, Isa ose Muhammed janë ndër emrat më të dashur në botë. Më se një miliard njerëz në gjithë botën, sot ua shprehin dashurinë këtyre njerëzve, të cilët në të gjallë të tyre ishin ndër më të shtypurit. Kjo tregon se Zoti ka një Sundues dhe një Drejtues, i cili është përtej perceptimit tonë. Sundimi i tij kujdeset për çdo imtësi të kësaj bote.


Duke u mbështetur në të mësipërmen, arrijmë në përfundimin se rrugët e njohjes së Zotit janë të shumta, aq sa njeriu nuk di nga cila rrugë të fillojë. Është njësoj siç thotë vetë Kur’ani: Dhe ngado që të ktheheni, atje është fytyra e Tij...(Kur’an 2:115) Përveç kësaj, Imam Husejni, duke iu drejtuar Zotit, thotë: “Dhe kur vallë ke qenë i fshehur, që tani të më duhet ndonjë shenjë drejt Teje?” I lutemi Zotit të Madhëruar që të gjithëve të na udhëzojë drejt qëllimit përfundimtar!


Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju!

Kthehu